Qirjako Kosova u rrit në rrugicat e një lagjeje të moçme të Përmetit, që mbante në gji, veç trëndafilave edhe dy kisha të vjetra, njëra prej të cilave ishte e veshur me afreske, që i lanë mbresa të thella në mendje dhe në shpirt. Në zemër, kujtimet e tyre i mbështilleshin dhe ruheshin me kujdes, ashtu si mbështilleshin me fshehtësi guaskat e vezëve të lyera me bojë të kuqe, kur festonin Pashkët në familje. Historitë që gjyshërit ndanin me të, ktheheshin në portrete të gjalla shenjtorësh, që prisnin me durim ditën që ai do t'i çlironte për t'i vendosur aty ku ata mezi prisnin të jetonin: në sytë e njerëzve të etur për Zot.
Qysh në fëmijëri, tek ai ra në sy, në mënyrë të veçantë, talenti dhe mjeshtëria e vizatimit të portreteve. I dhënë pas ngjyrave dhe imazheve, çdo kohë të lirë ai e kalonte në përpjekje për t'i rikrijuar ato në letër, rrugica, mure e çdo sipërfaqe të mundshme për vizatim. Më tepër, ai përqendrohej në tiparet dhe karakteristikat e portreteve. Përpjekjet e tij ishin kapja e hollësive të një vështrimi, përqafimi, apo prekjeje; interpretimi në ngjyra i pozicionit të objektit dhe mesazhi që ai objekt përcillte. Dukej sikur po përgatitej për një mision më të madh se arti, misioni i zemrave njerëzore.
Në klasë të 6-të, atij iu dha mundësia të merrte pjesë në një ekspozitë vizatimesh për fëmijë. Ai kujton me një ndjenjë malli që aty paraqiti ikonën e parë, të vizatuar me bojëra dhjami, çka kjo kishte kërkuar prej tij më tepër se talent: kishte kërkuar dashuri.
Në vitet '90, me dështimin e ngadaltë të sistemit komunist dhe hapjen e kishave, ai filloi t'u jepte pamje ngjarjeve, shenjtorëve, engjëjve. Çka prekte me zemër, merrte jetë në vijat e penelave, në dritëhijet e ngjyrave, në ndërthurjet e njerëzores me hyjnoren. Në të njëjtën kohë, kushtet dhe nevojat e kohës e rrëmbejnë në rrjedhën e tyre dhe e çojnë si emigrant në Greqi. Kthehet në Shqipëri, për t'u bërë një student model dhe për të ushtruar dhe përsosur dhuntinë e tij.
Duart e Qirjakos lyejnë dhe pikturojnë jo vetëm me bojëra me bazë ari, por me ngjyra që marrin rrezatimet nga çdo rrahje zemre e krijuesit të tyre. Me thjeshtësi, ai pohon se thelbi i punës së tij është dashuria që ai derdh në çdo ikonë, e cila është shëmbëllim i të padukshmes, i Fjalës, Virtytit, është e vetmja gjë reale në këtë hapësirë pafund të Universit. Këto fjalë ai i përdor si jehonë që do e ndjekë në çdo hap të punës, e cila është vetëm në fillimet e saj...
Burimi: Gazeta Shekulli
|